Scholz: Do të kërkoj votëbesim në dhjetor

schedule14:59 - 13 Nëntor, 2024

schedule 14:59 - 13 Nëntor, 2024

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi të mërkurën se do të kërkojë votëbesim më 16 dhjetor, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt.

Ai e bëri këtë njoftim gjatë një fjalimi në Parlament, një javë pasi dështoi koalicioni qeverisës trepartiak.

Gjermania është qeverisur prej vitit 2021 nga një koalicion i udhëhequr nga partia e Scholzit, Socialdemokratët, i cili përfshinte edhe të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë.

Aleanca mes tyre ishte e përçarë dhe jo e lehtë, dhe përfundimisht dështoi javën e kaluar kur Scholzi e shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner, i cili vjen nga Demokratët e Lirë, pas mosmarrëveshjeve për mënyrën se si të ringjallej ekonomia e dobësuar e vendit.

“Tashmë është vendosur data në fund të shkurtit dhe jam shumë mirënjohës për këtë”, tha Scholz, duke shtuar se do të përpiqet të kalojë ligje të rëndësishme në Parlament para kësaj date, siç është mbështetja financiare për fëmijët e familjeve të varfra, apo të bëjë ndryshime në Kushtetutën e vendit për ta bërë gjykatën më të lartë më të qëndrueshme ndaj ndërhyrjeve të mundshme politike.

Ai tha se do ta dorëzojë një kërkesë për votëbesim më 11 dhjetor, në mënyrë që Bundestagu të mund të vendosë për këtë më 16 dhjetor.

Scholz donte fillimisht që zgjedhjet e parakohshme të mbaheshin kah fundi i marsit.

Megjithatë, partia konservatore në opozitë, CDU, kërkoi që votëbesimi në Parlament të mbahet më herët, në mënyrë që të përshpejtohet mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme.

Në fund, liderët partiakë nga spektri politik u pajtuan të mërkurën për dy datat, atë për votëbesim dhe për zgjedhjeve të reja më 23 shkurt.

Katër kandidatë pritet të garojnë për kancelar në shkurt.

Scholz tha se dëshiron të garojë përsëri – edhe pse partia e tij nuk e ka bërë të ditur ende kandidaturën e tij.

Merz nga CDU-ja, i cili prin në sondazhe tani për tani, u nominua zyrtarisht nga partia e tij në shtator.

Për të Gjelbrit do të garojë ministri i tanishëm i vendit dhe zëvendëskancelari, Robert Habeck.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka thënë se do ta nominojë lideren e partisë, Alice Weidel, kandidat për kancelar muajin e ardhshëm./rel