Kombëtarja e Shqipërisë ka vijuar përgatitjet për sfidat e fundit në Ligën e Kombeve kundër Çekisë dhe Ukrainës më 16 dhe 19 nëntor, të dyja në stadiumin “Air Albania”.
Ndryshe nga dita e parë, Silvinjo dhe të besuarit e tij u kthyen në shtëpinë e futbollit për seancën stërvitore të së martës.
Me skuadrën u bashkuan edhe futbollistët, që gjatë të hënës u stërvitën me një program të veçantë në palestër, për shkak të ngarkesës që kishin marrë me ekipet e klubeve gjatë fundjavës.
Por Silvinjo duhet të presë ende për të patur të plotë të gjithë skuadrën.
Kjo për shkak të ndryshimit të detyruar që tekniku kuqezi I bëri listës së futbollistëve të grumbulluar.
Të dëmtuar, Gjimshiti, Manaj, Bare dhe Kumbulla u lanë jashtë, ndërsa u thirrën Jon Mersinaj, Ardian Bajrami dhe Arbnor Muja.
Por vetëm ky I fundit ka arritur në kohë, ndërsa dy mbrojtësit do të zbresin në fushën stërvitore vetëm të mërkurën, kur do të plotësohet përfundimisht i gjithë grupi i kombëtares.
Deri atëherë, Silvinjo ftoi në stërvitje të tjerë futbollistë që luajnë në Shqipëri, në mënyrë që të realizonte të gjithë programin stërvitor.
Në ditën e dytë të përgatitjeve, stafi teknik kuqezi rriti ndjeshëm ritmin, ndërsa nuk mungoi edhe aspekti teknik me situata në ndryshme loje.
Kombëtarja do të vijojë stërvitjen deri të premten, ndërsa të shtunën do të presë Çekinë në sfidën direkte për vendin e parë në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. /abcnews.al