Sylvinho shpjegon listën: Kemi lojtarë me kartonë dhe të dëmtuar, morëm maksimumin

schedule12:46 - 8 Nëntor, 2024

schedule 12:46 - 8 Nëntor, 2024

Lojtarë në dyshim, të tjerë që rrezikojnë nga kartonët, por edhe dhimbje “e ëmbël” koke për formën me të cilën vijnë në kombëtare disa të tjerë. Trajneri Silvinjo u mundua t’i prekë të gjitha këto tema teksa shpejgoi zgjedhjet e tij për listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.

“Kam 28 lojtarë, por shpjegohet lehtë. Kemi 5 lojtarë me të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi transferta, nuk ka avion, kemi qendër të mirë këtu. Kemi gjithçka këtu. Vendosëm të merrnim maksimumin e mundshëm. Përtej atyre me të verdhë, kemi 3 lojtarë që janë në situatë gri. Kemi folur me doktorët, me klubet, edhe Stesina, duhet të shohim situatën e Kumbullës, Manajt dhe Bares. Duhet të merren, të shohim si janë, nëse janë në gjendje të luajnë apo jo”.

Sfidat e nëntorit kundër Çekisë dhe Ukrainës do të vendosin fatin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Objektiv është vendi i parë në grup dhe për këtë faktori fushë mund të jetë një avantazh për kuqezinjtë.

“Padyshim si të gjithë mund të dalim të parët, por në këtë grup mund të ndodhë gjithçka. Vjen Gjeorgjia dhe na mund, shkojmë ne atje dhe e mundim. Janë katër kombëtare që kanë luajtur në Europian, ka cilësi, janë lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier Ligë, janë të fortë. Kemi avantazhin që luajmë në shtëpi të dy ndeshjet, është një avantazh i vogël, por i mirë.”

Në nivelin e rëndësisë të këtyre sfidave ngjitet edhe interesimi i tifozëve, që do të mbushin plot stadiumin “Air Albania”

“Për ne është e bukur, mendoj se hyjnë më shumë se 22 mijë, hyjnë 25 mijë tifozë në stadium. Ky është motivim, pastaj në fushë luhet, është futboll, është argëtim, i bukur për t’u shfrytëzuar. Tifozët e bëjnë fushën tonë me një atmosferë shumë të bukur, është një avantazh i vogël që mund ta shfrytëzojmë. Të shkosh në fushë me stadiumin plot, është diçka e mrekullueshme. Do të provojmë dhe të bëjmë një ndeshje të bukur, nëse duam të arrijmë objektivin, duhet të bëjmë një ndeshje pranë 100%.”

Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë grumbullimin të dielën me lojtarët që do të lirohen më shpejt nga impenjimi me skuadrat e klubeve, ndërsa Silvinjo do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët vetëm në nisje të javës së ardhshme./abcnews.al