Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Fatmir Pjetrit, i cili kërkoi të dilte nga regjimi “41 biss”.
“Kërkuesi Fatmir Pjetri me datë 18.04.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Anullimin e urdhërit të Ministrit të Drejtësisë nr. 195 datë 05.04.2024, “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fatmir Pjetri”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të K.Pr.Penale dhe nenin 17 të Ligjit nr. 81/2020, datë 25.06.2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 234, datë 06.11.2024, vendosi: 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Fatmir Pjetri. 2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi“, thuhet në vendimin e GJKKO.
Fatmir Pjetri është izoluar në regjimin “41 biss”, që prej muajit prill të këtij viti. Pjetri njihet si një nga anëtarët e bandës së “Babagjyshëve” dhe rezulton i dënuar për grup kriminal, vjedhje me dhunë dhe veprime në kuadër të grupit kriminal.
Ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bëra nga banda e “Babagjyshëve”, të cilat u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër.
Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku vodhi një argjendari. Pas kësaj ngjarje ai u arrestua në 24 nëntor të 2017./abcnews.al