Deputetët demokratë në Komisionin Ndërparlamentar të Stabilizim Asociimit bllokuan një rezolutë të përbashkët me europarlamentarët, të cilët do të kthehen në Bruksel me një dokument të rëndësishëm për integrimin, që nuk gjeti mbështetje unanime në Shqipëri.
Duke komentuar këtë, ish kandidati për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli tha gjatë intervistës për “Tirana Live” se opozita po asgjeson aksionin institucional të saj.
“Prandaj jam kundër radikalizimit që çon në asgjesim të aksionit institucional të opozitës. Më ketë kuptoj faktin se kalojnë ligjet në parlament dhe asnjë se di çfarë ligji. Se dimë qëndrimin e opozitës në ato ligje, a janë të dobishme për qytetarët, që po e vjedhin më shumë apo pasurojnë shqiptarët? Ne ia lehtësojmë sundimin Ramës duke shkelur dhe braktisur mundësitë institucionale. Është traditë tashmë e keqe që opozita në Shqipëri, kur vjen puna e rezolutave të kësaj natyre… ka bllokuar votime ligjesh edhe PS kur ishte në opozitë, gjente justifikime. Jo, kjo duhet të marrë fund sepse për ne shqiptarët, këtë do ta kuptojëë opozita, se më shumë prani e Evropës në Shqipëri, më shumë garanci për shqiptarët dhe të drejtat tona. Në këto kapituj do të vendosen disa detyrime për Shqipërinë që janë institucionet, reforma, dhe kjo e bën që të jemi të garantuar sepse institucionet evropiane do të vënë notën. Po them që Rumania u fut në BE në 2007 dhe reformën në drejtësi e bëri më pas, e ka bërë me themel sic e kemi bërë dhe ne. SPAK i Rumanisë filloi të funksionojë pas 2010.”, u shpreh Kadilli./abcnews.al