“Mos më çoni në Shqipëri”, Bami: Në Shqipëri më rrezikohet jeta

schedule12:57 - 29 Tetor, 2024

schedule 12:57 - 29 Tetor, 2024

Durim Bami, i arrestuar pak ditë më parë në Dubai për llogari të drejtësisë shqiptare, u ka kërkuar autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe që mos të deportohet në Shqipëri.

Këtë kërkesë, ai e argumenton me faktin se sipas tij janë 16 persona që e duan të vdekur dhe do ta vrasin nëse kthehet në Shqipëri.

Mësohet se më datë 6 nëntor i cilësuari si kreu i bandës së Niklës, Durim Bami pritet të dalë para autoriteteve ku do të vendoset nëse do të deportohet apo jo në Shqipëri.

Rasti për deportimin e tij, është thuajse i njëjtë me deportimin e Plaurent Dervishajt, pas arrestimit të tij po në Dubai.

Mësohet se Bami u arrestua më datë 21 tetor, por autoritetet shqiptare u njoftuan zyrtarisht të hënën për prangosjen e tij.

Durim Bami akuzohet nga SPAK se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Aben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin 45-vjeçarin të vdekur. Sipas dosjes hetimore, Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.

Ndaj tij është caktuar në mungesë masa e sigurisë arrest në burg, duke u akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”./abcnews.al