Për analistin Blerim Hyseni, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, po vazhdon me lojërat e tij politike.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, ai ka thënë se VMRO DPMNE po bashkëpunon me Serbinë.
Sipas analistit, sado deklarohet se është pro integrimit dhe pro NATO-s, në thelb janë bërë hapa mbrapsht në drejtim të faktorit ndërkombëtar, që në ditët e para të kësaj qeverisje.
Sakaq, Hyseni ka theksuar cënimi i marrëveshjes së Ohrit pengon integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Sigurisht që nuk mund të ndodh asgjë e mirë për këtë vend. Unë mendoj që viti 2001 nuk është larg dhe atëherë kur luftohej ballë për ballë mes shqiptarëve dhe forcave maqedonase, terreni dëshmoi ndryshe, sepse shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm pa të cilët ky shtet është jofunksional. Kjo është dëshmuar në të kaluarën dhe do të dëshmohet dhe në të ardhmen. Nëse ndalemi dhe analizojmë, në vitin 2001 shqiptarët në institucionet shtetërore kanë qene të përfaqësuar minimalisht 2%-3%. Ndërkohë që sot kemi mbi 20%.
VMRO DPMNE ka hapur një front bashkimi me Serbinë dhe shtetet aleate. Sado në opinion deklarohet se është pro integrimit dhe pro NATO-s, në thelb janë bërë hapa mbrapsht në 100 ditët e para të kësaj qeverie në drejtim të faktorit ndërkombëtar. Unë mendoj që maqedonasit janë të bindur për forcën që posedojnë shqiptarët në këtë vend, por përçarja e shqiptarëve në mes vete nga njëra anë dhe prekja e çështjes së marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e tyre, sigurisht që rrit tensionin ndëretnik në Maqedoni. Mendoj që faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë që situata të shkojë në rrugë të gabuar, por do të ndërhyjë me mekanizmat e tij”, tha ai./abcnews.al