Me vrap… për të kapur jetën/ U diagnostikua me kancer në gji, Evis Katana rrëfen luftën me sëmundjen

schedule11:53 - 28 Tetor, 2024

schedule 11:53 - 28 Tetor, 2024

Një histori frymëzuese është ajo e Evis Katana rrëfyer në “ABC e Mëngjesit” në ABC News. Mësuese e gjuhës angleze dhe sipërmarrëse, ajo foli edhe për pasionin e saj për sportin duke marrë pjesë edhe në “Maratonën e Tiranës”.

“Në 2021 zbulova që kisha një kancer. Më pas bëra të gjitha kontrollet dhe rezultati ishte i tillë. Bëra kemion pastaj, dhe gjithashtu kisha edhe projektin e shkollës, pasi doja të hapja një shkollë për gjuhë të huaja. E kam luftuar kancerin në një mënyrë shumë të qetë dhe jo me frikë. Problemi më i madh ishte se si do ja shpjegoja vajzës që do të më binin flokët…Fillimisht ja thashë si lojë…duke i shpjeguar se flokët më janë prishur dhe se mami duhet t’i presë…Ishte vëllai ai që mi preu flokët, dhe për atë ishte si lojë. Gjithmonë mbaja shall dhe jo paruke”, tregoi ajo.

Ndërsa ishte duke luftuar me kancerin, tregoi se nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj dhe se e hapi edhe shkollën.

“Nuk ka qenë aspak e thjeshtë, por është e rëndësishme mënyra se si përballesh. Ka qenë ndihmë edhe Akademia edhe sporti për ta parë jetën në mënyrë tjetër dhe jo të mbyllesha në shtëpi. Por me rëndësi ishte edhe mbështetja e njerëzve të dashur”, u shpreh ajo.

/abcnews.al/