Federata e Futbollit do të mirëpresë ndeshjet e raundit të parë të grupit B4 të vlefshme kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17 për vajza. Në këtë grup bëjnë pjesë Shqipëria, Izraeli e Kosova, teksa UEFA ka vendosur që këto sfida të zhvillohen në vendin tonë nën organizimin e FSHF-së.
Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të luhen në datat 30 tetor, 2 dhe 5 nëntor në stadiumin “Elbasan Arena”. Takimi i parë i grupit B4 më datë 30 tetor do të jetë Shqipëri-Kosovë. Kjo ndeshje do të luhet në “Elbasan Arena” në ora 14:00. Ndeshja e dytë e grupit është ajo mes Kosovës dhe Izraelit, që do të zhvillohet më 2 nëntor në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 11:30.
Sfida e tretë e këtij raundi do të luhet mes Shqipërisë dhe Izraelit në “Elbasan Arena” më 5 nëntor në ora 14:00.
Shqipëria U-17 që drejtohet nga trajnerja Cyme Lulaj është pjesë e Ligës B dhe do të tentojë vendin e parë të grupit, për t’u ngjitur në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues të Europianit të vajzave për këtë grupmoshë. /FSHF
Kkalendari i ndeshjeve të raundit të parë të kualifikueseve të Euro 2025 për vajza U17:
Shqipëri – Kosovë, 30 tetor, ora 14:00 “Elbasan Arena”
Kosovë – Izrael, 2 nëntor, ora 11:30 “Elbasan Arena
Shqipëri – Izrael, 5 nëntor, ora 14:00 “Elbasan Arena