E ngarkuara me punë e SHBA takohet me Dumanin: SPAK s’mund ta bëjë punën vetëm, mbështetje nga policia dhe institucionet e tjera

schedule17:45 - 17 Tetor, 2024

schedule 17:45 - 17 Tetor, 2024

E ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane, Nancy VanHorn shkoi mesditën e së enjtes në SPAK, ku u takua me drejtuesin Altin Dumani. Ambasada ka zbardhur edhe takimin mes tyre.

VanHorn vlerësoi arritjet e prokurorisë ndërsa shtoi se nuk mund ta bëjë punën vetëm, duke kërkuar mbështetje edhe nga policia, gjykatat apo institucione të tjera që janë të pavarura.

“E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, u takua sërish me Kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe vlerësoi arritjet e SPAK-ut në ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta. Zj. VanHorn dhe Z. Dumani diskutuan se si SPAK dhe BKH nuk mund ta kryejnë këtë punë vetëm dhe duhet të mbështeten tek institucione si policia, gjykatat, zyrat e prokurorisë, zyrat e vetting-ut, inspektoratet dhe këshillat që bëjnë pjesën e tyre me pavarësi, përkushtim dhe integritet. Kjo është thelbësore për të mbrojtur përparimin që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit, një element kyç i procesit të integrimit në BE.”, thuhet në reagim.