Tërhiqet Izraeli, i përgjigjet SHBA: Dërgojmë ndihma në Gaza, por i rrëmben Hamasi

schedule19:32 - 16 Tetor, 2024

schedule 19:32 - 16 Tetor, 2024

Izraeli hedh poshtë pretendimet e aleatëve ndërkombëtare se po pengojnë ndihmën humanitare në Gaza, ndërsa drejton gishtin drejt Hamasit për kushtet e mjerueshme që po përballen civilët palestinezë.

Ushtria izraelite tha se gjatë 24 orëve të fundit ka lejuar 50 kamionë me ndihma humanitare në Gazën veriore.

Ky veprim erdhi pasi Uashingtoni paralajmëroi tel Avivin se do të kufizonin ndihmën humanitare nëse nuk merrnin masa për të ndihmuar civilët.

“Ne kemi lejuar më shumë se 50,000 kamionë, duke përfshirë mbi 700,000 ton ushqime. Problemi në Gaza nuk është mungesa e ndihmës. Problemi është Hamasi, i cili “rrëmben ndihmën”, vjedh dhe merret me shitjen e saj për të ushqyer makinën e tyre të terrorit, ndërkohë që civilët vuajnë”, tha ambasadori i izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit deklaroi se Uashingtoni po vëzhgon nga afër veprimet e izraelit për të garantuar se nuk po përdorin urinë si armë.

“Qeveria e Izraelit ka thënë se kjo nuk është politika e tyre. Se ushqimet dhe furnizimet e tjera thelbësore nuk do të ndërpriten. Dhe ne do të vezhgojmë situatën për të parë që veprimet e Izraelit në terren përputhen me këtë deklaratë.”, tha ajo.

Administrata Biden e ka paralajmëruar Izraelin se duhet të rrisë sasinë e ndihmave humanitare që po lejon në Gaza brenda 30 ditëve të ardhshme ose mund të rrezikojë të humbasë ndihmën ushtarake.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer thotë se qeveria e tij po shqyrton sanksionimin e dy ministrave Ultranacionalistë të kabinetit izraelit për komente “të neveritshme” të bëra në lidhje me situatën në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Ndërkohë luftimet kanë vazhduar në mënyrë intensive në Gaza.