SPAK ka mbyllur hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina. Tashmë dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme.
Përfaqësuesit e akuzës, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai dorëzuan të martën në gjykatë materialin me 333 fashikuj. Ditën e nesërme, pritet që në GJKKO të hidhet edhe shorti për trupën gjykuese.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, ndërsa Pustina e Begeja vetëm për pastrim parash./abcnews.al