LUKSEMBURG- Më 15 tetor, Shqipëria do të çelë negociatat me Bashkimin Europian për kapitujt themelorë. Agjenda zyrtare e së martës në Luksemburg përfshin hapjen e pesë kapitujve, pas kalimit me sukses të procesit “screening” në 2023.
Duke vijuar rrugëtimin sipas hartës së bisedimeve, do të çelet grupkapitulli, i cili përfshin gjyqësorin, drejtësinë, prokurimet publike, kontrolli financiar, administrata publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike, por për disa prej kapitujve me te rëndësishëm Shqipëria tashmë ka bërë progres, duke punuar në disa drejtime.
Sipas afateve, në 14 muaj vendi ynë kreu 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1 mijë e 500 ekspertëve shqiptarë dhe 1 mijë ekspertëve të Komisionit Evropian.
Shqipëria mori aprovimin për hapjen e negociatave marsin e vitit 2020. Rrugëtimi i vendit drejt Bashkimit Europian ka qenë i mbushur me kushte të shumta të vendosura nga BE dhe disa nga vendet anëtare.
Këta kapitujt, janë ndër kapitujt më të rëndësishëm për ecjen përpara të Shqipërisë në Bashkimin Europian, jo vetëm për shkak të sfidës politike por edhe përfshirjes së grupeve të interesit.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, i cili kryeson Presidencën e radhës së BE-së
Sakaq, rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Rama dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Hungarisë, Péter Szijjártó./ abcnews.al