Blinken: Amerika është e shqetësuar për aktivitetet e rrezikshme të Kinës në Detin e Kinës Jugore

schedule11:20 - 11 Tetor, 2024

schedule 11:20 - 11 Tetor, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha në Samitin e Liderëve të Azisë Juglindore (ASEAN) se SHBA është e shqetësuar për aktivitetet “gjithnjë e më të rrezikshme dhe të paligjshme” të Kinës në Detin e Kinës Jugore. Në mbledhjen vjetore, ai premtoi gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të mbështesë lirinë e lundrimit përgjatë kësaj rruge detare shumë të rëndësishme, shkruan AP.

Takimi i përfaqësuesve të grupit dhjetë anëtarësh të ASEAN me Blinken pasoi një seri konfrontimesh të dhunshme në Detin e Kinës Jugore midis Kinës dhe anëtarëve të asaj organizate, Filipineve dhe Vietnamit, kujton agjencia. Pretendimet e Kinës për pothuajse të gjithë detin mbivendosen me pretendimet e vendeve të ASEAN-it, Vietnamit, Filipineve, Malajzisë dhe Bruneit, si dhe Tajvanit. Rreth një e treta e rrugëve detare tregtare në botë kalojnë përmes Detit të Kinës Jugore, i cili është gjithashtu i pasur me peshk, gaz dhe naftë.

Pekini ka refuzuar të njohë një vendim të arbitrazhit ndërkombëtar nga Gjykata e OKB-së në Hagë që sfidon pretendimet e Kinës për detin dhe ka forcuar praninë e tij ushtarake në ishujt që kontrollon. Blinken tha se aktivitetet gjithnjë e më të rrezikshme të Kinës në det kanë lënduar njerëz dhe kanë dëmtuar anijet e vendeve të ASEAN-it, si dhe kanë kundërshtuar angazhimin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

SHBA nuk ka pretendime në Detin e Kinës Jugore, por ka paralajmëruar vazhdimisht se është e detyruar të mbrojë Filipinet, aleatin e saj më të vjetër në Azi, nëse forcat, anijet ose avionët filipinas sulmohen./abcnews.al