UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale

schedule08:24 - 10 Tetor, 2024

schedule 08:24 - 10 Tetor, 2024

Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 18-vjeçare, janë dhunuar apo janë sulmuar seksualisht në gjithë botën, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Këto janë shifrat e para të agjencisë lidhur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në nivel global, dhe janë publikuar një ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.

Të dhënat nënkuptojnë që një në tetë vajza është e prekur nga kjo formë e dhunës.

Nëse në të dhëna përfshihen edhe format tjera të dhunës seksuale, sikurse ato që kryhen online apo dhuna verbale, atëherë numri do të shkonte në mbi 650 milionë, që do të thotë se çdo e pesta vajzë është përballur me një formë dhune, ka thënë UNICEF.

Situata është më e komplikuar në rajonet më cenueshme, sikurse ato me institucione më të dobëta, me prani të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, apo me prani të shumë refugjatëve që i ikin dhunës dhe pasigurive.