Një zjarrfikës shqiptar, pjesë e ekipit vullnetar për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në Greqi, është përballur atje, me një situatë të pakëndshme.
Mediat greke shkruajnë se zjarrfikësi shqiptar është ndjerë keq gjatë shuarjes së flakëve dhe kolegët e tij e kanë dërguar drejt spitalit më të afërt.
Por aty është ndeshur me faktin e trishtueshëm, se për grekët, ai është shqiptar, pavarësisht se atje kishte shkuar për të ndihmuar ne shuarjen e zjarreve. Punonjësit e spitalit grek i kanë kërkuar të paguajë fillimisht 20 euro në mënyrë që të marrë kujdesin e duhur mjekësor dhe analizat e nevojshme.
Por kjo ka ngjallur reagim te ashpër. “Është turp të vijë dikush i plagosur nga lufta me flakët dhe t’i kërkojnë të paguajë për kurimin në spitalin publik”, janë shprehur kolegët zjarrfikës.
Ata kanë reaguar ashpër duke argumentuar se është e papranueshme që një zjarrfikësi, pjesëtar i një misioni, t’i kërkohet para për të marrë ndihmën mjekësore.
Një dëshmitar i këtij incidenti e ka quajtur këtë veprim nga spitali grek si një turp ndërkombëtar, teksa u vetëofrua duke paguar shumën prej 20 eurosh.
Ekipi vullnetar i zjarrfikësve nga Shqipëria ndodhen që prej datës 2 tetor në Greqi, duke ndihmuar shtetin fqinj për zjarrin e rënë në zonën e Korinthit.
/abcnews.al/