Miçigani është një nga shtetet që do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu ky shtet ka komunitetin e dytë më të madh të shqiptaro-amerikanëve, pas Nju Jorkut.
Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë me disa prej përfaqësuesve shqiptarë të cilët shprehin mendimin e tyre në lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen me 5 nëntor.
Shqiptaro-amerikanët janë të shqetësuar për çështje si ekonomia, emigracioni, aborti dhe familja. Këndvështrimet e tyre janë të ndryshme.
“Bizneset janë rritur më shumë dhe në Miçigan ne kemi punuar shumë edhe me partinë këtu, kemi hapur më shumë biznese me gra për shembull, që mund të punojnë, kanë bizneset e veta. Po atje fillon hapi i parë, pastaj fillon edhe tek tavolina me familjet, domethënë si ndjehen familjet për ekonominë’,tha Elisa Malile , këshilltare për Partinë Demokrate në Detroit.
“Nuk e di se si nuk mund t’i shohë një njeri, një familje, ndryshimet që kanë ndodhur këto katër vjet dhe mund t’i injorosh. Në katër vitet e Trump-it patëm një ngritje, patëm një jetesë mëse normale, normal me punë, me djersë me sakrifica, por që në fund shihje një rezultat”, tha Aurel Ago, banor i Detroit.
“Nuk mund të them se platforma e republikanëve mund të jetë më e mirë, sepse nuk kam parë ndonjë zgjidhje. Kur shoh platformën e republikanëve, ata vetëm kundërshtojnë demokratët, por nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje”, theksoi Afërdita Rakipi, aktiviste shqiptaro-amerikane në Michigan.
“Unë si republikan mbështes politikën e uljes së taksave për biznesin e madh por uljen e taksave edhe për biznesin e vogël dhe këto janë dy tipare që ish-presidenti Trump i ka premtuar”, theksoi aktivisti Valentin Lumaj.
Nënpresidentja Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump kanë bërë vazhdimisht fushatë në Miçigan, një prej shteteve që pritet të përcaktojë se cili nga kandidatët do të fitojë.