Pas dhunës vjen ndëshkimi/ Një i arrestuar, në kërkim ish komandanti FNSH Shkodër. Në hetim ‘çifti’ Noka-Bardhi

schedule11:22 - 8 Tetor, 2024

schedule 11:22 - 8 Tetor, 2024

Pak orë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, policia dhe prokuroria nisi hetimet pët tubimin e dhunshëm si një akt kriminal që rrezikoi jetën e forcave të rendit.

Në pranga u vu Xhevahir Rrushi, 57 vjeç, 3 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur, e ndërsa 9 protestues të tjerë u shpallën në kërkim. Mësohet se njëri prej të kërkuarve që kreu dhe akte dhune gjatë tubimit është Hivzi Bushati, i cili më heret ka qënë komandant i FNSH në Shkodër.

Ndaj tyre janë ngitur disa akuza, goditje për shkak të detyrës, shkatërrimi I pronës me zjarr, prishje e rendit dhe qetësisë publike, kundërshtim I forcave të rendit. Nga sendet e forta dhe bombat molotovë që hodhën, ata rrezikuan jetën e punonjësve të policisë, ku një nga 10 që u lënduan, vijon të marrë mjekim në spital.

Identifikimi i protestuesve të dhunshëm u bë nga kamerat e sigurisë të vendosura përgjatë bulevardit, por edhe nga agjentët civilë që i mbajtën ata në vëzhgim gjatë tubimit. Për të dokumentuar dhunën e tyre, ekspertët sekuestruan në terren tymuese të plasura, shishet e djegura të molotovit, si dhe 3 çanta me 25 shishe plastike molotovë të paplasur.

Krahas protestuesve të dhunshëm, u proceduan në gjendje të lirë edhe tre organizatorë të protestës, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarollin. Ata do të hetohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.