Hamam turk, me para europiane/ Durrës, hapet monumenti i kulturës, i rikonstruktuar pas tërmetit

schedule15:26 - 4 Tetor, 2024

schedule 15:26 - 4 Tetor, 2024

DURRËS– Turistët dhe të apasionuarit pas historisë dhe vlerave arkeologjike tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë në qytetin e lashtë të Durrësit edhe hamamin mesjetar. Hamami i Durrësit, i cili është një nga 10 hamamet e mbijetuara në Shqipëri, iu nënshtrua një rikonstruksioni total pasi pësoi dëmtime të renda nga lëkundjet sizmike të tërmetit të 2019.

Këtë të premte u zhvillua edhe ceremonia e inaugurimit të përfundimit të punimeve. I pranishëm ishte edhe ambasadori Gonzato, i cili në përshëndetjen e tij theksoi se BE qëndroi menjëherë në mbështetje të Shqipërisë pas tërmetit të 5 viteve më parë, duke ndihmuar ne rindërtimin e shkollave si dhe siteve kulturore të dëmtuara nga ky termet.

“Është vërtet kënaqësi të jemi këtu sot për të përuruar hamamin mesjetar. Është një projekt që e kam patur në zemër se ka vlerë simbolike. Është dëshmi e plotë e të gjithë kësaj trashëgimie të larmishme e te pasur kulturore e fetare që ka Shqipëria. Është një nga 15 sitet që në kemi restauruar”, tha ai.

Hamami i Durrësit është një nga dhjetë hamamet e mbijetuar në Shqipëri, i cili pasqyron trashëgiminë pesëshekullore të sundimit osman në vend. I pozicionuar vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij të lashtë, banjave romake, hamami kreu funksionin e tij të parë deri në fund të shekullit XIX.

Në fillim të viteve 2000, ai pësoi disa ndryshime për t’u shndërruar në një kafene, e cila funksionoi si e tillë për disa vite. Pas mbylljes, Hamami u përball me dëmtime ter renda gjatë tërmetit të vitit 2019, duke e bërë atë një prioritet për ndërhyrje në kuadër të programit “EU4Culture”.

Restaurimi synon të ringjallë këtë vend historik, dhe pas përfundimit tre tij, vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë dhe të kuptojnë rëndësinë dhe dobinë e këtyre strukturave unike./abcnews.al