Kosova pjesë e Serbisë në hartën e librit shkollor, reagon Besa Shahini

schedule10:11 - 22 Nëntor, 2019

schedule 10:11 - 22 Nëntor, 2019

Një hartë në librin ‘Qytetaria’ për klasën e 8-të, ka sjellë reagime të shumta në rrjet për shkak shfaqej harta e Ballkanit e pa rinovuar dhe ku Kosova ishte ende pjesë e Serbisë.

Harta u publikua edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa sot ka reaguar ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Ministrja shpreh keqardhjen e saj për sa i përket faqes së librit dhe e quan një gabim të paqëllimshëm.

Reagimi i plotë:

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!