Një ish-ministër i qeverisë së Singaporit u dënua të enjten me një vit burg pasi u deklarua fajtor për akuzat për marrje të paligjshme të dhuratave, në një çështje të rrallë penale që përfshin një ministër në qendrën financiare aziatike.
Ish-ministri i Transportit S. Iswaran ishte deklaruar fajtor javën e kaluar për një akuzë për pengim të drejtësisë dhe katër të tjera për pranimin e dhuratave nga njerëzit me të cilët kishte marrëdhënie zyrtare. Ai është ministri i parë që akuzohet dhe dënohet me burg në Singapor në gati 50 vjet.
Gjykatësi Vincent Hoong, në vendimin e tij, tha se ekziston një pritshmëri se drejtuesit e posteve të larta “duhet të shmangin çdo perceptim që i bën ata të duken se mund të ndikohen nga ryshfetet”.
“Unë jam i mendimit se është e përshtatshme të shqiptohet një dënim që tejkalon pritshmëritë e të dyja palëve”, tha gjykatësi Hoong ndërsa njoftoi vendimin e dënimit me 12 muaj burg për pesë akuzat. Mbrojtja kishte kërkuar jo më shumë se tetë javë burg, ndërsa prokuroria kishte bërë përpjekje për të siguruar një dënim prej gjashtë deri në shtatë muaj burg.
Gjykata miratoi kërkesën e ish-ministrit Iswaran për të shtyrë fillimin e dënimit të tij deri të hënën, njoftoi kanali televiziv “Channel News Asia”. Nuk është e qartë nëse ai do ta apelojë dënimin.
Ish-ministri Iswaran fillimisht u përball me 35 akuza, por prokurorët vendosën ta vazhdonin gjyqin me vetëm pesë prej tyre, ndërsa dy akuzat për korrupsion i reduktuan në një akuzë për marrje në mënyrë të paligjshme të dhuratave (ryshfet). Prokurorët thanë se do të aplikojnë që 30 akuzat e mbetura të merren në konsideratë për dënimin.
Zoti Iswaran mori dhurata me vlerë mbi 57,000 dollarë amerikanë nga Ong Beng Seng, një manjat malajzian i pasurive të patundshme me bazë në Singapor, dhe biznesmeni Lum Kok Seng. Dhuratat përfshinin bileta për garën “Formula 1” të Singaporit, verë, uiski dhe një biçikletë luksoze të markës “Brompton”. Sipërmarrësi Ong ka blerë të drejtën për organizimin e garës “Formula 1” në Singapor dhe ish-ministri Iswaran ishte kryetar dhe më vonë këshilltar i komitetit drejtues të garës “Grand Prix”.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se së shpejti do të vendoste nëse do të padiste sipërmarrësit Ong dhe Lum pas përfundimit të çështjes kundër ish-ministrit Iswaran.
Ministrat e Singaporit janë ndër më të paguarit në botë. Megjithëse shuma e përfshirë në rastin e zotit Iswaran dukej të ishte relativisht e vogël, aktakuza e tij është dëmtuese për Partinë Veprimi Popullor në pushtet, e cila krenohet me imazhin e saj të pastër. Singapori u rendit ndër pesë vendet më pak të korruptuara në botë në indeksin e perceptimit të korrupsionit të organizatës “Transparency International”.
Ministri i fundit i kabinetit i akuzuar për korrupsion ishte Wee Toon Boon, i cili u shpall fajtor në vitin 1975 dhe u burgos për pranimin e dhuratave në këmbim të ndihmës për një biznesmen. Një tjetër ministër i kabinetit u hetua për korrupsion në vitin 1986, por vdiq përpara se ndaj tij të ngriheshin akuzat.
Ish-ministri Iswarani kishte dhënë dorëheqjen pak para se ndaj tij të ngriheshin akuzat për ryshfet. Gjyqi i tij vjen pak më shumë se katër muaj pasi Singapori emëroi kryeministrin e ri Lawrence Wong pasi Lee Hsien Loong dha dorëheqjen pas 20 vjetësh në detyrë./VOA