“Izraeli nuk do të përmbahet ndaj Iranit”, Shtuni: Ka hapur luftë në shumë fronte ndaj armiqve, kërkon siguri

schedule19:36 - 2 Tetor, 2024

schedule 19:36 - 2 Tetor, 2024

Eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni thotë se qëllimi i Izraelit është të “shfarosë” armiqtë që e kërcënojnë atë. Në një intervistë për “Edicionin qendror” me gazetaren Juli Krisafi, ai tha se kundërpërgjigjja e Izraelit ndaj Iranit për sulmin me raketa balistike, nuk do të jetë aq e përmbajtur sa në sulmin e parë.

“Kuptimi i fitores është më i gjerë në mënyrën se si e shoh unë sesa pengimi i armikut që do të godasë. Për shkak se është në goditje të vazhdueshme nga 4-5 anë, Izraeli kërkon ta ndryshojë këtë dinamikë dhe të ketë siguri më të qëndrueshme që të mos sulmohet në këtë mënyrë nga Gaza, Hezbollahu, Irani apo rebelët Houthi. Ajo që u pa dje është e rrezikshme se është përshkallëzim tjetër që do ta intensifikojë konfliktin më shumë dhe mund të sjellë të panjohura. Druaj se kundërpërgjigja e Izraelit nuk do të jetë që e përmbajtur sa në prill pas sulmit të parë të Iranit.“, u shpreh ai.

Sipas tij, Izraeli mund të synojë infrastrukturën nukleare të Iranit.

“Kundërpërgjigja e Izraelit mund të ketë shumë objektiva. E para, shënjestra më strategjike që Netanyahu ka kohë që e ka kërkuar është infrastruktura nukleare e Iranit që mund të dëmtojë synimin srategjik që ka sistemi i tyre. E dyta, që mund të konsiderohet si shënjestër mund të ketë sistemi kundërajror i Iranit dhe infrastruktura mbrojtëse dhe sulmuese që është përdorur për të dërguar raketa balistike. Kjo do të jetë edhe një mënyrë parandaluese që Irani të mos vazhdojë të godasë. Një tjetër nivel shënjestrash janë rafineritë e naftës apo sistemet energjetike”, shtoi Shtuni.

I pyetur për ndihmën e SHBA-së ndaj Izraelit, ai tha se:

“Ishin dy shkatërrues në brigjet e Izraelit që ndihmuan me interceptimin e raketave balistike, ndihmë në mbrojtje. Dihet ndihma që SHBA-të i japin Izraelit në aspektet e mbrojtjes, por ka limite. Në Liban u tha qartë se SHBA nuk do të ndërhynin dhe Izraeli hyri vetëm. SHBA nuk kanë marrë pjesë në asnjë lloj sulmi por kanë mbrojtur Izraelin. Ka një pikëpyetje te goditja e infrastrukturës energjetike apo burimeve të naftës sepse nëse do të goditen ato do të ketë efekt domino në çmimet e naftës në botë. Jemi në moment zgjedhjesh në Amerikë, dhe kjo do të ndikonte shumë edhe në qasjen e votuesve. Qëllimi përfundimtar i Izraelit është që të mos zgjohet nën frikën e një sulmi. Kjo është kërkesa që ka, e ka artikuluar qëllimin strategjik që të mos ndihet i rrezikuar për shfarosje ndërkohë që ka armiq që e thonë këtë me zë të lartë që kërkojnë ta fshijnë nga harta e botës., u shpreh eksperti./abcnews.al