PD, “zi” dhe flakë për Salianjin/ Reagon Spiropali: Kuvendi u kthye në skenë krimi, duhet marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese

schedule18:37 - 30 Shtator, 2024

schedule 18:37 - 30 Shtator, 2024

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar mbi djegien dhe dëmtimin nga deputetët e opozitës, të pajisjeve në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Në një reagim të saj në rrjetet sociale, ajo ka thënë se djegia e karrigeve dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik.

Sipas Spiropalit, zjarrvënia e sotme dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese.

Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar, duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik.

Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht, zjarrvënia e sotme dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese.

Keqardhje e thellë!”, ka shkruar ajo./abcnews.al