Dëshmi arbërore pranë Tiranës/ Zbulim arkeologjik në Shën Mëri, gjurmë varreze dhe vendbanimi mesjetar

schedule13:38 - 28 Shtator, 2024

schedule 13:38 - 28 Shtator, 2024

Arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashgimisë Kulturore  nisën gërmimet pas një njoftimi që iu erdhi nga banorë të zonës.

“Na erdhi një njoftim që gjatë punimeve të rrugës së re u zbuluan struktura varresh.   Që në moment të parë ne kuptuan se kishim të bënim me një varrezë të periudhës mesjetare duke pasur parasyshë strukturën dhe pas procedurave  menduam të bënim një gërrmim shpëtimi për të parë cilës periudhë ishin këto gjetje dhe limitet e kësaj varreze mesjetare.  Me hapjen e varreve të para vërejtëm se kishim të bënim me një varrezë të periudhës mesjetës së hershme,  me material të pasur të ngjashëm  me zbulimet në  Koman, Lezhë, Krujë, Përmet. Gjetje që na flasin për një shtrirje hapësinore që nuk e dinim më parë të kulturës arbërore. “

Gërmimet vijuan në pjesën e sipërme të kodrës.   Gjetjet surprizuan arkeologët.     Ata zbuluan se varreza ka funksionuar  në periudha  të ndryshme historike.

“Surprizë për ne ishte dhe identifikimi i varrezës së periudhës qytetare ilire. Megjithëse pak i dëmtuar varri nga rreshqitjet, erozioni që flasin për një zhvillim urban ose  rural të zonës së brendshme të ilirisë antike. Me kaq pak të dhëna sa kemi deri tani jemi të sigurtë se kemi të bëjmë me një varrezë të përdorshme në periudha të ndryshme historike dhe ka një vazhdimësi nga periudha helenistike deri te ajo mesjetare.

Gjatë gërmimeve arkeologët kanë zbuluar struktura funerare që përmbanin enë qeramike, stoli prej argjendi, bronzi, hekuri dhe qelqi, armë dhe objekte personale.

Ky zbulim hedh dritë mbi historinë dhe jetën e banorëve të lashtë të kësaj zone.

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashgimisë Kulturore  do të vijojnë gërmimet.

Nxitur nga toponimia e zonës në një fazë të dytë do të nisin vëzhgimin e fshatit  për të piketuar  zona me interes arekologjik.

Zbulimi i shton vlerat trashëgimisë kulturore të kryeqytetit njëkohëisisht  turizmit kulturor dhe nxit zhvillimin e zonës.

Njësia administrative e Shëngjergjit me rreth 2500 banorë  pjesë e të cilës është dhe fshati  Shën Mëri ku u  doli në dritë ky  zbulim arkeologjik   pret çdo muaj rreth  1 mijë vizitorë vendas dhe të huaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!