Banorët e Unazës së Astirit i janë drejtuar avokatit të popullit, me synim që zëri i tyre të dëgjohet nga shteti. Ky institucion po përgatit një raport të detajuar mbi arsyet për të cilat banorët e Unazës së re kundërshtojnë prej një viti prishjen e banesave të tyre.
I ka karakterizuar pesimizmi ndaj zgjidhjes që mund t’u vijë përmes institucioneve shtetërore. Shpresën e mbajnë tek një derë e vogël me emër të madh, Avokati i Popullit.
Erjona Canaj, Komisionere pranë Avokatit të Popullit priti këtë përfaqësi të banorëve të Unazës së re jo vetëm për t’i dëgjuar por edhe për t’i komunikuar se ia kanë dërguar për shqyrtim kuvendit listën e kërkesave të tyre.
Banorët nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Për ta prishja e shtëpive është shpërfillje ndaj njerëzve të thjeshtë dhe përkrahje për ata që duan të përfitojnë nga tenderët miliona euro.
Pas marrjes së përgjigjes nga Kuvendi i Shqipërisë, Avokati i Popullit i bëri me dije se do të publikojnë një raport të detajuar mbi shkakun dhe pasojën që ka detyruar banorët të kundërshtojnë zbatimin e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës./abcnews.al