Rriten çmimet e naftës në tregjet globale/ Ndikon ulja e normës në Kinë dhe tensionet në Lindjen e Mesme

schedule14:53 - 24 Shtator, 2024

schedule 14:53 - 24 Shtator, 2024

Çmimet e naftës u rritën të martën pas lehtësimit të politikës monetare në Kinë dhe shqetësimeve në rritje se tensionet në Lindjen e Mesme mund të godasin furnizimin me naftë. Kontratat feature të naftës së papërpunuar brent u rritën me 1.14% duke arritur në 74.7 dollarë për fuçi.

Kina uli normat bazë të interesit duke lehtësuar huadhënien dhe tregu i naftës së papërpunuar sipas analistëve ka kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kineze një lehtësim të masave për të frenuar ngadalësimin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Lëvizja e fundit sipas tyre mund të shtyjë më tej rritjen e çmimeve të naftës në tregjet globale. Megjithatë, kjo rritje nënvizojnë ata mund të mos jetë e qëndrueshme në një periudhë afatmesme pasi kërkesa për karburante vijon të mbetet e dobët, në një kohë që politikat monetare nuk përputhen plotësisht me politikat fiskale ekspansioniste.

Kjo ndërhyrje që ofron më shumë financime dhe ulje të normave shënon një përpjekje të Pekinit për të rivendosur besimin pas një sërë të dhënash zhgënjyese të ekonomisë që ngritën shqetësimet për një ngadalësim të zgjatur strukturor.

Ndërkohë, tregu i naftës po luhatet edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme. Në një nga rajonet kryesore të prodhimit të naftës, ushtria izraelite nisi sulmet ajrore kundër objektivave të Hezbollah në Liban të hënë duke shqetësuar tregjet.

Nga ana tjetër, investitorët janë duke mbajtur nën monitorim edhe motin në Bregun e Gjirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili rrezikohet nga një goditje uragani. Prodhuesit amerikanë të naftës po përpiqen të evakuojnë stafin nga platformat e prodhimit, dhe një pjesë e kompanive të naftës ndaluan prodhimin./abcnews.al