Sekretarja e Përgjithshme në Shoqatën e Sigurimeve, Mimoza Hajdarmataj tha se Shqipëria renditet e fundit në rajon sa i përket shkalllës së sigurimit vullnetar. Në intervistën për emisionin “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ajo tha se është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit të njerëzve.
“Shqipëria është e fundit në rajon sa i përket shkallës së sigurimit vullnetar. Sigurimi vullnetar nuk vjen si pasojë e rritjes së ndërgjegjësimit por si një nxitje apo detyrim që bankat në momentin që japin kredi detyrojnë konsumatorin për t’u pajisur me një sigurim të tillë.
Ne akoma shohim shtetin si zgjidhës të problemeve tona. Derisa të çlirohemi nga kjo, nuk do të kemi rritje të shkallës së ndërgjegjësimit për të pasur sigurim qoftë të pronës, jetës etj. Ne vazhdojmë paguajmë pasi na ka ndodhur ngjarja. Nuk jemi të edukuar që të sigurohemi përpara pasi sigurimi garanton që të rikuperohet humbja financiare që vjen nga ndodhia e një ngjarjeje.”, u shpreh Hajdarmataj./abcnews.al