Pustina e Begeja në SPAK/ Prokuroria i njeh dy të pandehurit me aktet e dosjes “Partizani”

schedule10:17 - 24 Shtator, 2024

schedule 10:17 - 24 Shtator, 2024

Andia Pustina dhe Xhimi Begeja do të paraqiten këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për t’u njohur me përfundimin e hetimeve, për dosjen “Partizani”.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raportoi se nuk është e detyrueshme që Pustina dhe Begeja të paraqiten personalisht, por mund të vijnë edhe vetëm avokatët e tyre.

Vija shtoi se ata janë marrë të pandehur për pastrim parash.

“Ditën e sotme pritet të paraqiten Andia Pustina dhe Xhimi Begeja, ku do të njihen me përfundimin e hetimeve për dosjen “Partizani”. Begeja dhe Pustina janë marrë zyrtarisht të pandehur, me akuzën e pastrimit të parave. Kanë transaksione, sa i takon transferimit të parave. Ata do të njihen me përfundimin e hetimeve. Mund të jenë prezentë edhe avokatët e tyre. Të mërkurën, pritet të paraqiten në prokurori, ish kryeministri Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Kjo konsiderohet procedura e fundit, sa i takon hetimee të prokurorisë, për dosjen “Partizani”, raportoi ndër të tjera gazetari Vija.

Sipas SPAK, Pustina nëpërmjet zyrës së saj juridike dyshohet se ka kryer veprime për t’i ardhur në ndihmë Malltezit e Bektashit për përvetësimin dhe shitje të pronave në ish-kompleksin Partizani.

Në dosjen e SPAK, evidentohet një shkeresë që Xhimi Begeja i ka dërguar studios së Andia Pustinës, ku shprehet i pakënaqur në lidhje me ndarjen e shumave të parave që janë përfituar nga shitjet e pronave në ish-kompleksin Partizani mes tij Jamarbër Malltezit dhe biznsemenit Fatmir Bektashi./abcnews.al