PRISHTINË- Kosova mund të mbetet jashtë marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA dhe Procesit të Berlinit, iniciativës që Gjermania e nisi nga viti 2015 për zgjerimin e Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo u theksua nga i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili ka përsëritur kërcënimin për përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk hiqet bllokada për mallrat e prodhuara në Serbi.
Diplomati Blerim Canaj, i ftuar në “Ballkan Update” me Linda Karadakun, u shpreh se Gjermania e ka humbur durimin me premtimet boshe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin.
Ai shtoi se Gjermania duket e vendosur për të mos lejuar “tekat politike” të disa prej liderëve të Ballkanit Perëndimor, kur vjen puna tek diskutimi i nismave që janë themeluar prej saj.
“Përjashtimi Kosovës nga CEFTA ndikon në procesin e Berlinit. Nuk e besoj që qeveria e Kosovës do duhej që të refuzonte instrumente të tillë, në të cilat Kosova është anëtare pasi e dimë që ka vite tashmë, që Kosova është “zhdukur” nga harta botërore dhe nuk është anëtarësuar në organizma të tjerë ndërkombëtarë. Është një krenari e Gjermanisë dhe ajo nuk e lejojë të cenohet integriteti i saj për shkak të tekava të disa individëve në Ballkan”, tha ai.
Diplomati shtoi më tej se partnerët ndërkombëtarë nuk shohin asnjë shenjë besimi të kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Në fakt duhet ta them hapur. Mund ta them që Gjermania goxha e ka ndihmuar indirekt që të vijë Albin Kurti në pushte për shkak të premtimeve që ka patur Kurti, edhe si partner. Gjermani ka qenë, është dhe do të mbete një parter i Kosovës, por tani vërehet nga pala gjermane “humbja e durimit” për shkak të premtimeve të shumta në tavolina dhe pastaj për mosmbajtjen e atyre premtimeve. Edhe Albin Kurti e ka humbur komplet besimin te partnerët ndërkombëtarë”, shtoi ai.
Gjithashtu, Blerim Canaj tha se largimi nga CEFTA do të thotë largim i Kosovës edhe nga Procesi i Berlinit dhe këtë gjë do ta vuajë Kosova dhe qytetarët e saj, për shkak të veprimeve të pamatura të qeverisë.
“Kostoja i shkon Kosovës. Largimi nga CEFTA është automatikisht largim nga Procesi i Berlinit pasi të gjitha lidhen njëra me tjetrën dhe të gjitha këto do t’i kushtojnë Kosovës dhe jo Albin Kurtit”, u shpreh ai./ abcnews.al