Marash Kumbulla është vënë në shënjestër të shumë klubeve italiane. Qendërmbrojtësi i Hellas Verona synohet edhe nga Lazio, por klubi kryeqytetas do të duhet të mendohet mirë nëse do ta blejë futbollistin e kombëtares shqiptare.
Verona e vlerëson kartonin e Kumbullës rreth 15 milionë euro, një shifër që konsiderohet e lartë. Lazio po mendon të lëvizë në verë për të afruar një qendërmbrojtës, ndërkohë që në listën e objektivave është edhe Strahinja Pavlovic, i Partizan Beograd. Për 18-vjeçarin serb interesohet edhe Monaco.
Në lidhje me Kumbullën dhe Pavlovic, ka folur edhe gazetari Alberto Abbate, i cili nuk i beson shumë zgjedhjeve të Igli Tares për mbrojtjen, madje përmend precedentët e mëparshëm. Në lidhje me emrat e përmendur më lart, ai jep mendimin e tij.
“Kumbulla më duket lojtar i fortë dhe me perspektivë, por mendoj se nuk është gati për nivele të larta. Sa i takon Pavlovic, është një lojtar i fortë, por ka më shumë treg dhe duket e vështirë ta transferojnë”.
Një tjetër objektiv i Lazios është edhe Vedat Muriqi, për të cilin Abbate shton: ” E vështirë për ta marrë në janar, por Lazio mund të përpiqet të përfshijë Durmishajn në negociatat me Fenerbahce. Një sulmues me ato karakteristika Inzaghi e ka kërkuar, por nuk e di nëse Muriqi është profili i duhur”. /abcnews.al