Nga emigrantët te raporti me Melonin/ Rama për mediat fqinje: Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia!

schedule11:37 - 20 Shtator, 2024

schedule 11:37 - 20 Shtator, 2024

ITALI- Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia!  Kështu u shpreh kryeministri i vendit, Edi Rama në një intervistë të dhënë për median italiane “La7”.

Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, u them të shikojnë Italinë. Kjo është Shqipëria e së ardhmes”, i tha Rama gazetarit Federico Marconi.

Teksa u pyet për raportet që ka me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Rama u shpreh se kushdo që njeh atë nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të.

Kryeministri  shqiptar e përshkroi homologen italiane si “një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë”.

“Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi se kryeministri është i djathtë, i majtë apo demokristian. Është vendi më afër nesh. Për mua ideologjitë kanë vdekur kur ka rënë muri i Berlinit”,theksoi Rama.

Gjatë intervistës në mediat italiane, Rama u ndal edhe tek një çështje tjetër shumë e diskutuar siç është marrëveshja me Italinë për emigrantë.

“Shqipëria nuk ka asnjë kosto mbi operacionin që Italia do të zhvillojë në Shqipëri për emigrantët. Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore. Shqipëria i ka dhënë përgjegjësinë të shërbejë në një territor, që do të menaxhohet tërësisht nga Italia”, shtoi ai.

Ai sqaroi se Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për kampin e refugjatëve, i cili do të ngrihet në Gjadër të Lezhës, duke theksuar se e gjithë kostoja e projektit është e qeverisë së Italisë.

Të enjten, kryeministri shqiptar në një intervistë për Euronews u shpreh se marrëveshja për emigrantët është “ekskluzive vetëm më Italinë” dhe se vendi ynë nuk do pranojë kërkesa që mund të bëhen nga vende të tjera.

Sipas tij, Italia dhe Shqipëria kanë një “dashuri të pakushtëzuar” si dy shtete fqinje/ abcnews.al