TIRANË- Personi që shihni në foto është Admir Tutaj, i cili u ekstradua këtë të enjte nga Kolumbia për llogari të autoriteteve shqiptare.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale, konkretisht për “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Forma të veçanta bashkëpunimi Organizatat Kriminale” dhe“ Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara kriminale”.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për të riun.
Në prill të vitit 2023, Policia e Shtetit ndërmori një aksion në pikën e kalimit kufitar të portit të Durrësit duke zbuluar fije të veprimtarisë kriminale të Admir Tutaj.
Në mjetin furgon tip Benz me targa “KS 15 MZN” u gjetën dhe u sekuestruan një arsenal armësh të fshehura në një tavolinë druri në cilësinë e provës materiale si: 6 armë zjarri pistoletë “GLOCK” me numra serie të fshira, një armë zjarri pistoletë “HERSTAL” me nr. . 1534 P.1 arme “BROWNING” me nr. 2205, një sasi e konsiderueshme municioni dhe aksesorësh për armë të lehta.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi Admir Tutaj, në bashkëpunim me pesë persona të tjerë kishin siguruar këto armë në tregun e zi dhe organizuan trafikimin e tyre drejt Britanisë së Madhe./ abcnews.al