Euro 99 lekë, normalitet i ri? Eksperti analizon projeksionet: Kemi stok të lartë në treg

schedule14:38 - 17 Shtator, 2024

schedule 14:38 - 17 Shtator, 2024

TIRANË- Leku vijon të qëndrojë i fortë përballë euros. Monedha europiane e ka nisur këtë javë me dobësim duke shënuar nivel të ri kundrejt monedhës kombëtare lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet aktualisht me 99,28 lekë  një rekord i ri, i cili nuk është regjistruar gjatë këtij viti.

Monedha europiane është dobësuar edhe pse sezoni turistik veror ka mbaruar.

Ky është një tregues se turizmi në vend po bëhet gjithëvjetor. Po ashtu në forcimin e lekut ka dhënë efekte edhe rritja e investimeve të huaja, remitancat dhe blerja e pasurive të paluajtshme.

Nëse e krahasojmë nivelin e  monedhës europiane me të njëjtën periudhë të një viti më parë atëherë rezulton se rënia është rreth 7%.

Mesa duket tregu i brendshëm valutor është futur në një normalitet të ri,  pasi  gradualisht po zbehen edhe luhatjet sezonale në këmbimin e euros me lekun.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit, Dritan Vakaj, i ftuar në “Money Report” në ABC News, komentoi këtë realitet të ri në tregun valutor.

Ai theksoi se sasi e euros në treg mbetet  e madhe dhe kjo ka bërë që të kemi qarkullim të lartë të monedhës europiane.

“Jemi në këto nivele dhe ajo që vihet re është që në patëm një rritje të turizmit, jo ndoshta në pritshmëri tepër të larta, për padiskutim shumë herë më shumë se vitin e shkuar. Edhe pse patëm rritje të turizmit, konsumi nuk ka qenë i lartë. Oferta e euros në treg mbetet e lartë dhe kemi një frenim të lekut në treg, qeveria nuk po shpenzon dhe po mbledh shumë taksa.”, tha ai.

Eksperti vlerësoi rolin që luajti Banka e Shqipërisë, që sipas tij, arriti të krijojë një stabilitet të euros gjatë sezonit turistik veror.

“Banka e Shqipërisë luajti një rol stabilizues gjatë sezonit. Euro vazhdon të mbetët në nivele të ulëta dhe të gjithë pritshmëritë janë që do vazhdojë të jetë.  Duke e marrë në konsideratë stokun e lartë të euros”, tha ai.

Sipas tij, me këto tregues as në muajin tetor nuk duhet të presim një rritje të vlerës së euros dhe kjo lidhet me stokun e madh të saj në treg.

“Duke parë se po të rritet stoku i eurove, përdorimi i saj rritet, efektet sezonale bëhen disi më të buta, sepse amortizohen nga stoku i lartë që kemi. Nga mesi i tetorit nuk është e pritshme që euro të forcohet në mënyrë të ndjeshme, sepse nuk ka asnjë tregues që mund të na tregojë këtë”, tha ai/ abcnews.al