Xhaçka në ‘Venecia’/ Gjylameti: Nuk kemi kundërshtuar vendimin e GJK. Vendimi i gjykatës, i paqartë për mënyrën e votimit

schedule19:41 - 16 Shtator, 2024

schedule 19:41 - 16 Shtator, 2024

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti thotë se me dërgimin e çështjes së Olta Xhaçkës në Komisionin e Venecias nuk është kundërshtuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë për “Edicionin Qendror” me Juli Krisafin, ajo tha se kryetarja e Kuvendit iu drejtua ‘Venecias’ për të sqaruar paqartësitë e kompetencave ndërmjet organeve kushtetuese, jo vetëm në rastin Xhaçka, por edhe në të tjera.

“Në asnjë moment nuk është vënë në diskutim vendimi i GJK . Për sa kohë vendimi jepte shumë paqartësi dhe kishte konflikte edhe me vendimet e mëparshme të GJK për raste të ngjashme krijoi një situatë paqartësie dhe pikërisht ka qenë arsyeja përse kryetarja e Kuvendit iu drejtua komisionit të Venecias për të sqaruar paqartësitë ndërmjet organeve kushtetuese dhe duke e sqaruar këtë, më pas, jo me rastin e zonjës Xhaçka, kjo është për pjesën e kompetencave që ka secili prej organeve kushtetuese, për të pasur një qartësi edhe sa I përket vendimeve të tjera. Ka pasur edhe analiza të mirëfillta të ekspertëve kushtetues për rastin konkret, për vendimin e parë apo të dytë të GJK për të kuptuar, dhe pikërisht nga pyetja e parë lind e gjithë ajo çfarë ne duam të sqarojmë.

Pyetja e parë me të cilën kryetarja e kuvendit i është drejtuar Venecias është ‘A mundet të detyrojë GJK deputetët për të votuar në një mënyrë të caktuar dhe nëse po, cilët janë rastet.’ Kjo është një mënyrë për të qartësuar qëndrimin përkatës. Nuk ka pasur kurrë një vendim të tillë që nuk sqaron ekzaktësisht se kush duhet të jetë qëndrimi dhe në rastin konkret ne i drejtohemi jo për të kundërshtuar vendimin e GJK. Nëse do të kishte pasur një vendim grupi për të qenë kundër Gjykatës Kushtetuese, pra ishte abstenim, do të kuptonim se kishte një vendim kundër GJK apo që e rrëzonin vendimin e saj. Abstenimi tregon se i hapet rrugë një momenti të dytë që ishte pikërisht qartësia ndërmjet kompetencave të institucioneve të organeve kushtetuese. Në kushtetutë thuhet se deputeti gëzon lirinë për të vendosur. Nëpërmjet këtij vendimi diskutohej liria e deputetit, ka organe të kuvendit që hartojnë ose analizojnë vendime në lidhje me konfliktet e interesit. Janë thirrur në komisionin e mandatave ekspertë kushtetues për të saktësuar se cilët janë këto.”, u shpreh deputetja.

E pyetur nëse ndërkombëtarët u nxituan me reagimet e tyre, duke kritikuar votimin në Kuvend, ajo shtoi:

“Besoj se përtej pjesës së reagimit apo kohës së reagimit, është e njëjta gjë. Në momentet që do t’i drejtohen edhe nga ana e kuvendit, të gjithë përfaqësitë e huaja diplomatike do t’i drejtohen se kush është arsyeja dhe logjika që qëndron pas këtij vendimi për t’ju drejtuar Venecias s’e besoj se do të ketë kundërshti në rastin konkret. Pasi të vijë vendimi do të zbatojmë atë vendim të një organi që është mbi palët dhe që sqaron të gjitha përplasjet dhe vendimmarrjen e çdo institucioni.”/abcnews.al