Plazhe publike bashkive/ Herida Duro: Synojmë t’u japim më shumë hapësirë, turizmi ka zgjeruar ofertën dhe tregun

schedule14:33 - 16 Shtator, 2024

schedule 14:33 - 16 Shtator, 2024

SHQIPËRI- Nga viti tjetër turizmi shqiptar do jetë përballë ndryshimeve thelbësore.

Kjo u njoftua nga Kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi bizneset private, restorantet dhe beach baret se nuk do të kenë më leje për të vendosur çadra në hapësirat e plazheve.

Ai theksoi se vetëm hotelet do të vendosin shezlongë, por edhe kjo do të bëhet duke respektuar disa rregulla.

Drejtoresha e përgjithshme e turizmit në Ministrinë e Kulturës, Herida Duro, e ftuar në “Money Report” në Abc News, u shpreh se strukturat do të jenë në monitorim të vazhdueshëm.

Kjo “reformë e re” shtoi ajo synon të krijojë më shumë hapësira publike dhe pushuesit do mund të shijojnë plazhet në mënyrë më eficente.

“Strukturat janë nën monitorim të vazhdueshëm nga task forca. Është evidentuar nevoja për t’u dhënë më shumë hapësirë plazheve publike. Ajo që kërkohet është një transparencë në të gjithë strukturat në vend, çmime të afishuara dhe pastaj është klienti ai që mund të zgjedhë midis njërit apo tjetrit subjekt”, tha ajo.

Ajo shtoi se do të shqyrtohet me kujdes të gjitha propozimet që do vijnë me qëllimi që masat e reja kur të vihen në zbatim të jenë të mirëmenaxhueshme.

“Po i shohim me shumë kujdes propozimet, për mënyrën se si do ta bëjmë të qëndrueshëm këtë lloj menaxhimi. Pritet brenda pak ditëve, që të kemi një takim me kryetarët e bashkive dhe institucioneve.

Në fund, ajo komentoi edhe sezonin turistik të kësaj periudhe duke e quajtur atë “një sezoni të arrirë dhe me ofertë të diversifikuar për të gjithë turistët”.

“Në fakt do doja t’i vija një përcaktim të tillë të qëndrueshëm në kohë, në hapësirë dhe në diversitet, sepse nga janari deri në gusht kemi pasur rritje të qëndrueshme, jo vetëm nga tregjet e konsoliduara, por kemi pasur edhe tregje të largëta. E dyta, në hapësirë, sepse nuk është vetëm bregdeti tërheqja primare e pushueseve, por ka një kërkesë të shtuar nga veriu në jug. Dhe e treta, diversiteti i ofertës që kemi krijuar. Ka një buqetë interesash dhe paketash, të cilën ua ofrojmë të gathë turistëve, sepse ndodhin evente dhe kjo ka bërë që lëvizshmëria e turistëve të jetë më energjike në të gjithë territorin e vendit”, tha ajo./ abcnews.al