Mrekulli në kthimin e “gjeniut”, Lionel Messi shënon dy gola në elitën e futbollit amerikan

schedule13:56 - 15 Shtator, 2024

schedule 13:56 - 15 Shtator, 2024

Jo më kot, biletat shiten kryesisht prej tij.

Tifozët nga Florida, të skuadrës Inter Miami janë padyshim me fat që me fanellën e tyre luan Lionel Messi.

Legjenda e gjallë e futbollit u kthye më në fund pas dy muajve mungesë, dhe e bëri në mënyrën më të mirë.

Ai shënoi dy gola dhe shërbeu një asist, në fitoren 3-1 të Inter Miami ndaj Philadelphia në Ligën Profesioniste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në paraqitjen e parë në fushë që nga 14 korriku, kur u dëmtua në finalen e Kupës së Amerikës fituar nga Argjentina e tij, Messi ishte i pandalshëm.

Kampioni i botës fillimisht barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 26’-të, dhe pa kaluar katër minuta, argjentinasi u përsërit dhe e kaloi në avantazh ekipin nga Florida. Më pas, u desh të pritej gjatë.

Vetëm në minutën e 8-të shtesë të pjesës së dytë, Messi shkëlqeu përsëri duke i shërbyer topin e golit të tretë, ish-shokut të tij te Barcelona, Luis Suarez, me këtë të fundit që nuk gaboi duke dërguar topin në rrjetë.

Në total, Messi ka gjithsej 846 gola në karrierë, duke qenë i dyti në histori pas “rivalit” të përjetshëm Cristiano Ronaldo, ndërsa është më i miri për asistet, me 414 gjithsej, i pakrahasueshëm me asnjë futbollist për të gjitha kohët. /i.m /abcnews.al