Kryeministri Edi Rama tha në Kuvend se nuk ka pasur eksport mbetjesh të rrezikshme nga Porti i Durrësit. Në interpelancën e thirrur nga PD, ai u shpreh se në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, tregohet se eksportimi i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme.
“Sipas të dhënave të bëra me dije, në çdo deklaratë dhe dokument të paraqitur nga subjektet private është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Gjithashtu praktika doganore e këtyre ka të bashkangjitur certifikatën e analizës së mallit nga laboratori i një vendi të BE që konfirmon deklarimin e subjektit. Në të dyja rastet, të transportit nga Elbasani drejt Tajlandës përmes portit të Durrësit dhe nga Kosova drejt Kinës përmes portit të Durrësit, mallrat e deklaruara si okside, hidrokside hekuri apo koncentrat zinku janë transportuar nga porti i Durrësit drejt atyre evropiane me dokumentacionin përkatës përmes linjave kontenierike ndërkombëtare me reputacion të padiskutueshëm, kanë qëndruar dhe magazinuar përkohësisht në vendet e BE-së ku askush s’i ka penguar. Më pas janë lejuar të vijojnë normalisht intenerarin e tyre.
Nga veprimet e proceseve logjistike të këtyre ngarkesave, mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogun evropian. E njëjta gjë vlen edhe nga pikëpamja e legjislacionit portual dhe të transportit detar. Në rastin më të mirë është alogjik, ndërsa më të keqin, kemi me një aludim psiko-patologjik, i artikuluar jo nga organizata ndërkombëtarë por nga burimet ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike. Edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është i ndaluar as nga legjislacioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar. Mbetjet teknologjike dhe industriale transportohen në rrugë detare në të gjithë rruzullin tokësor në zbatim të kodeve ndërkombëtare, të njëjta edhe në portet shqiptare. “, u shpreh Rama./abcnews.al