Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë thirrur këtë të mërkurë në SPAK për t’u njohur zyrtarisht me akuzat në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në orën 12:00 është thirrur ish kryeministri Berisha ndërsa dy orë më vonë në orën 14:00 dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ish-kryeministri do të paraqitet fizikisht në prokurori bashkë me avokatët e tij mbrojtës, por në të njëjtën kohë ka njoftuar se pranë godinës së SPAK do të ketë edhe mbështetës dhe militantë të Partisë Demokratike.
Berisha, në arrest shtëpie prej dhjetorit 2023, është hetuar për korrupsion pasiv pasi ka dyshime se ai në cilësinë e kryeministrit ka nxjerrë akte nënligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshti me ligjin. Ndërsa Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Ndaj Malltezit hetuesit vunë në sekuestro edhe disa pasuri që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal. Nën hetim pasuror përfundoi edhe ish-kryeministri Berisha si dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha,por edhe dy fëmijët Argita e Shkëlzen Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha mbahet i izoluar prej datës 30 dhjetor të vitit të kaluar pas hetimeve të nisura për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Fillimisht gjykata e Shkallës së Parë caktoi masën detyrim paraqitje për Berishën, por ai nuk e zbatoi asnjeherë çka detyroi prokurorinë të ashpërsonte masën duke kërkuar në arrest shtëpie, kërkesë që u miratua nga gjykata./abcnews.al