Netanyahu zotohet për hakmarrje ndaj Hamasit

schedule08:17 - 10 Shtator, 2024

schedule 08:17 - 10 Shtator, 2024

Kryeministri i Izraelit është zotuar se do të fitojë luftën kundër Hamasit. I pranishëm në një takim me familjarët e pengjeve të vrarë nga grupimi militant i Hamasit, Netanyahu theksoi se, po bëj gjithçka që mundem për t’i sjellë pengjet në shtëpi dhe për të fituar luftën.

Reagimi i Benjamin Netanyahut vjen vetëm pak orë pasi Hamasi paralajmëroi Izraelit se pengjet që ndodhen në duart e tyre në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit “nuk do ta shohin dritën e diellit” nëse kryeministri izraelit nuk pranon marrëveshjen e propozuar të Shtëpisë së Bardhë për armëpushim.

“Nëse Netanyahu nuk vihet nën presion dhe nuk detyrohet të respektojë atë që u ra dakord, të burgosurit nuk do ta shohin dritën e diellit”, tha Izzat al-Rishq, një zyrtar i lartë nga fraksioni palestinez, i cili këmbënguli se “të gjithë ata e dinë se është Netanyahu dhe qeveria e tij naziste që po pengojnë marrëveshjen”.

Tentativat për paqe kanë aktivizuar edhe një herë këshilltarët e lartë në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Assosiated Press, Presidenti Joe Biden do të takohet me këshilltarët e tij të lartë në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar përpjekjet për të bindur Izraelin dhe Hamasin që të pranojnë marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushimin në Gaza.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë folën për negociatat me përfaqësuesit e Egjiptit dhe Katarit, të cilët veprojnë si ndërmjetës me Hamasin. Sipas burimit të AP, administrata amerikane është e frustruar nga kërkesa e Hamasit për lirimin e një numri më të madh të të burgosurve palestinezë në fazën e parë të marrëveshjes.

Sakaq, rrugët e Tel Avivit u mbushën me dhjetëra mijëra protestues, duke i bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të bënte më shumë për të sjellë në shtëpi pengjet e mbetura në Gaza.

Familjet e shumë pengjeve, duke përfshirë disa nga gjashtë trupat e të cilëve u gjetën nga një tunel në Gazën jugore të dielën e 1 shtatorit, kanë akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu se ka sakrifikuar të dashurit e tyre duke këmbëngulur në mbajtjen e trupave në korridorin e Filadelfit ku Gaza kufizohet me Egjiptin.

/abcnews.al