Cili institucion rrezikon të futet në “kolaps” pas Gjykatës Kushtetuese?

schedule09:53 - 20 Nëntor, 2019

schedule 09:53 - 20 Nëntor, 2019

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi rrezikon të futet në ngërç, ashtu sikurse ndodhi edhe me Gjykatën Kushtetuese. Ky ngërç mund të krijohet në rast se ndaj kreut të KED fillon ndjekja penale pas kallëzimit që bëri Presidenti Ilir Meta ditën e djeshme.

Po çfarë ndodh?

Në rast se prokuroria vendos të ndjekë penalisht Dvoranian, i mbetur vetëm tashmë si anëtar i Gjykatës së Lartë, atëherë ai automatikisht përjashtohet nga rikandidimi për në KED, duke e futur në kolaps këtë të fundit.

Ligji përcakton se një person që është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të kandidojë për të qenë pjesë e KED-së.

Shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të KED do të hidhet në Dhjetor, ndërsa funksionimin ky institucion do ta nisë në fillim të vitit 2020 me një mandat 1- vjeçar.

Sipas ligjit, përcaktohet se kandidati plotëson kushtet kur “magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale”.

Po sipas ligjit, është Presidenti i Republikës ai që, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik por nëse këtë proces nuk e bën Presidenti, atëherë fjala i mbetet Parlamentit.

Mbetet për t’u parë nëse 3 prokuroritë, ku është dorëzuar kallzimi Penal i Metës ndaj Ardian Dvoranit, do të nisin ose jo ndjekjen penale ndaj kreut të KED. Nëse kjo ndodh atëherë “ngërçin e radhës” do ta ketë pikërisht ky institucion./abcnews.al