Policia e Shkodrës ka ndaluar një 39-vjeçar të shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për vrasjen e Valter Fierzës në shtator të vitit 2023.
I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të vrasjes. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit autori, që ishte edhe fqinj, me 33-vjeçarin ka marrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Njoftimi i Policisë:
Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Ndalohet një 39-vjeçar i shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur më 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, jashtë një lokali, u vra me armë zjarri shtetasi Valter Fierza.
39-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar motomjeti që lëvizte 39-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën policore për një shtetas në kërkim që qarkullonte me motomjet në rrugën e fshatit Dobraç, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe si rezultat kapën e ndaluan shtetasin E. D., 39 vjeç, banues në Shkodër.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar ndaj 39 vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi V.F.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al