Ngjarja e rëndë në Korçë shkaktoi tronditje të opinionit publik në mbarë vendin.
Në lidhje me ngjarjen ku burri dogji me benzinë gruan, ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili thotë se ky është një krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia.
Ndër të tjera ministri Manja thekson se drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë
“Ngjarja tronditëse që ndodhi dje në Korçë, ku një nënë e dy fëmijëve të mitur u bë viktimë e dhunës së verbër në familje, është një krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia!
Ky akt i shëmtuar nuk mund të tolerohet dhe as të kalojë pa pasoja të rënda për autorin. Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë. Është detyrë e institucioneve dhe e shoqërisë të mbrojmë çdo nënë, çdo fëmijë, nga këto akte barbare, dhe të sigurohemi që ata që shkelin ligjin të marrin dënimin që meritojnë!”, shprehet ministri.