Pas ambasadës amerikane në Prishtinë, edhe ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien ka dënuar mbylljen e pesë strukturave paralele serbe në veri nga qeveria e Kosovës. Ai thotë se SHBA-të janë të shqetësuara nga veprimet “e pakoodinuara dhe provokuese” të qeverisë Kurti.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”, shprehet O’Brien në një postim në platformën X, krahas të cilit ka ndarë edhe një deklaratë të mëparshme të ambasadës amerikane në Prishtinë për këtë çështje.
“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë.”, shton diplomati amerikan.
As @USAMBKosovo’s statement makes clear, the U.S. is concerned by continuing uncoordinated and provocative actions by the Government of Kosovo. We appreciate the work of those, including EULEX and KFOR, who prevent violence and call for continued restraint by all involved and…
— Assistant Secretary Jim O’Brien (@StateEUR) August 30, 2024
Më herët të premten, ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, nuk ishte i bashkërenduar dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.
Autoritetet mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri, një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, me gjithë thirrjet e diplomacisë perëndimore për shmangien e “hapave të njëanshëm” në zonë./abcnews.al