Një 25 vjecar është arrestuar nga policia në Sarandë, pasi u kap ndërsa qarkullonte me drogë e armë të ftohtë me vete.
Mësohet se në pranga është vënë 25-vjeçari Franci Koroni,i cili dyshohet se siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza në banesën e tij dhe i shiste ato në lagje të ndryshme të qytetit të Sarandës.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga një 25-vjeçar që u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike gati për shitje dhe me armë të ftohtë (thikë).
Sekuestrohen lënda narkotike kanabis, një grirëse për lëndët narkotike, mjeti prerës (thikë) dhe 2 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kanë goditur një tjetër rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
– F. K., 25 vjeç, banues në Berat.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në lagjen nr. 4, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë i kanë gjetur lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një grirëse për lëndët narkotike dhe një mjet prerës (thikë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza në banesën e tij dhe i shiste ato në lagje të ndryshme të qytetit të Sarandës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al