Greqia, vendi që i lejon njerëzit t’i shpëtojnë drejtësisë

schedule11:55 - 28 Gusht, 2024

schedule 11:55 - 28 Gusht, 2024

Greqia ka përjetuar një sërë skandalesh që, ndonëse të gjitha shumë të ndryshme, shtojnë ndjesinë se drejtësia po shkatërrohet dhe se ata që janë në pushtet nuk duan ta ndryshojnë diçka të tillë ose dhe më keq se kaq janë fajtorë.

Prestigjozja “Politico” ka publikuar një artikull, ku nxjerr në pah mbulimet e disa skandaleve, hetimet e dështuara dhe ndjenjen e përgjithshme të mosndëshkimit që ka përfshirë Greqinë, duke shtuar se në vendin ku ka lindur demokracia, nuk ka më drejtësi.

Konkretisht, artikulli iu referohet vendimeve apo procesit të drejtësisë për tre raste të ngjarjeve madhore që tronditën vendin: tragjedia e përplasjes së trenave në Tempi me 57 të vdekur, fundosja e e anijes në Pylos ku nga gati 750 emigrantë u gjetën vetëm trupat e 82 personave  dhe rasti i përgjimeve të politikanëve e gazetarëve , i ashtuquajturi “Predatorgate”.

I pyetur në konferencën e fundit për shtyp, zëdhënësi i qeverisë ka theksuar: Ajo që shkruhet është 180 gradë e kundërt me realitetin.

Ky titull, ky reportazh ka për qëllim diskreditimin e Greqisë jashtë vendit dhe kjo duket qartë nga raporti zyrtar për Sundimin e Ligjit, kjo duket qartë nga të dhënat zyrtare.

Ndarja e pushteteve është një nga kushtet bazë për të pasur një demokraci solide. Pra, Greqia ka një Gjyqësor të pavarur që punon, merr vendimet e tij në të gjitha rastet.

Avokati i Popullit Andreas Pottakis i intervistuar nga “Politico”  tha se “Ka një ndjenjë të një përpjekjeje sistematike dhe të bashkërenduar për të minimizuar disa incidente dhe kjo krijon “dyshime për një tentativë mbulimi të skandaleve dhe neglizhencë që “duhet të shqetësojë lidershipin politik”.

Gjithashtu edhe partitë e opozitës, grupet e krijuara nga familjet e viktimave dhe hetuesit e pavarur bashkë me disa portale që ripublikojnë artikullin në fjalë, flasin për një mbulim të ngjarjeve, për fshehje të fakteve, dëshmitarë të heshtur, dokumente ligjore të shpërfillura dhe viktima të mënjanuara.

Hetimet parlamentare nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë turbulluar ujërat, theksohet në artikull.

Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti Eteron me rastin e 50-vjetorit të rënies së juntës dhe vendosjes së demokracisë, vetëm 29% e qytetarëve i besojnë sistemit të drejtësisë në vend.

Dobësimi i besimit të qytetarëve duket edhe tek sistemi politik, ku partia në fuqi Demokracia e Re ka një rënie nga 28% në 22% brenda 2 muajve, ndërsa edhe partia më e madhe opozitare Syriza tashmë renditet jo e dyta, por e pesta për shkak të konflikteve brenda gjirit të saj.

Por Mitsotakis tha se sistemi i drejtësisë kishte ecur me shpejtësi dhe se qeveria e tij kishte bërë përpjekje të konsiderueshme për të siguruar marrjen e vendimeve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!