Menjëherë pas letrës që kabineti i Metës i ka dërguar selisë qëndrore të OSBE-së, një delegacion i asamblesë parlamentare të OSBE-së, ka zhvilluar një takim në Presidencë me kreun e shtetit. Në takim nuk ishte i pranishëm ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borshardt. Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit Meta Meta theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë.
Në lidhje me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe rajonit, Presidenti i Republikës vlerësoi angazhimin e sinqertë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë përsëri objekt shqyrtimi në Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020”, – vijoi Presidenti i Republikës, “dhe, në këto 6 muaj, 9 kërkesat e Bundestagut duhet të shërbejnë si harta e vetme e rrugës për Shqipërinë që mund të çojë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”.
Në lidhje me Kryesimin nga Shqipëria të OSBE-së për vitin 2020, Presidenti Meta u shpreh se, Shqipëria ka mundësinë që të japë një kontribut thelbësor për Organizatën. /abcnews.al