Stoli i kuq nuk po gjen qetësi.
Partizani është një nga skuadrat që ka ndërruar mjaft trajnerë sezonet e fundit, përfshi shqiptarë e të huaj, dhe javën që vjen pritet të prezantohet një tjetër emër.
Ky, sipas të gjitha gjasave, do të jetë tekniku serb, Aleksandr Veselinovic, specialist me përvojë në profesion, kryesisht në vendin e tij dhe në Lindjen e Mesme.
Ai ka drejtuar skuadra si Vojvodina, Spartak Subotica apo Cukaricki në elitën serbe, Suduva në Lituani, Al-Dhafra në elitën e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ishte sezonin e kaluar, dhe Al-Batin në Arabinë Saudite
Sipas burimeve brenda “Demave të Kuq”, Veselinovic është pjesë e grupit të ngushtë prej vetëm dy trajnerësh, nga të cilët presidenti Gazmend Demi do të zgjedhë njeriun të cilit do t’i dorëzojë skuadrën.
Nuk dihet se cili është pretendenti tjetër, por edhe ky duhet të jetë i huaj, ndërsa klubi do të vendosë pas ndeshjes ndaj Skënderbeut.
Për momentin, ekipin po e udhëheq drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, diçka që ndodhi edhe sezonin e kaluar përpara sesa të vinte trajnerit Orges Shehi, teksa është hera e parë në historinë e tij që Partizani e nis sezonin e Superligës pa teknik. /i.m /abcnews.al