Prokurorja e përgjithshme e përkohshme vazhdon ndryshimet në strukturat drejtuese të organit të akuzës si në qendër dhe në rrethe. Në një njoftim për shtyp prokuroria e përgjithshme bën të ditur se këto ndryshime bëhen në kuadër të riorganizimit, mirëfunksionimit të organit të akuzës, rritjes së performancës dhe besueshmërisë së publikut tek ky institucion. Tre ndryshimet më të fundit janë tre prokurorë të komanduar në prokuroritë e tre rretheve. Kështu Dritan Gina, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ku është i emëruar. Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan caktohet prokurori Ardjan Nezha.
Prokurorit Pali Deçolli, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar. Përkohësisht në krye të prokurorisë së Fierit caktohet prokurori Fatmir Lushi.
Po ashtu komandimi i është ndërprerë dhe Drejtuesit të komanduar të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës
Artur Ismailukaj, dhe në vend të tij caktohet përkohësisht prokurorja Alketa Nushi./abcnews.al