Timo Werner po kalon një formë shumë të mirë dhe po konfirmohet një sulmues i madh. 23-vjeçari ka shënuar 11 gola në kampionat gjatë këtij sezoni, teksa numëron edhe 2 gola të shënuar në Champions League, 2 në Kupën e Gjermanisë dhe po kaq ka shënuar me Gjermaninë në fazën eliminatore të Euro 2020.
Vetëm Robert Lewandovski (16 gola) ka shënuar më shumë se ylli i Leipzig në Bundesligë. Polaku i Bayern Munchen ka gjetur rrugën e rrjetës në 11 ndeshjet e para të kampionatit gjerman dhe një ecuri e tillë e ka mahnitur Werner, i cili e krahason me Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon në prononcimin e dhënë për sajtin zyrtar të Bundesligës.
“Shënova dy gola në ndeshjen e fundit kundër Hertha Berlin, por edhe Leva shënoi dy herë përballë Dortmundit. Pyes veten se kur ka ndërmend të ndalet dhe sipas meje, për momentin, ai është në të njëjtin nivel me Messin dhe Ronaldon“, thekson sulmuesi i kombëtares gjermane. /abcnews.al