Rezultatet në sport janë matematikë dhe matematika nuk është opinion. Nuk janë opinion as arritjet sportive dhe medaljet që shkruhen në librat e artë të Federatave apo Komiteteve Olimpike, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Të gjitha këto e bëjnë të pavlerë, në kufijtë e absurdin debatin nëse ajo e Chermen Valiev ishte medalja e parë dhe ajo e Islam Dudaev e dyta olimpike në historinë e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish, pas reagimive që shoqëruan postimin e tij ku uronte Valiev për medaljen e parë historike në Lojrat Olimpike. Duke e titulluar reagimin e tij si “MEDALJA E PARË OLIMPIKE DHE MIZA NËN KËSULËN POLITIKE”, kreu i qeverisë shpjegon me fakte se përse ajo e të madhit Ymer Pampuri në “Mynih 1972” nuk ishte medalje olimpike.
“Por e vërteta është siç e thashë dhe siç e thotë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në postimin e tij të mbrëmshëm e në tabelën e tij të medaljeve në historinë e lojrave olimpike. Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme duke dalë i pari në stilin e forcës (asokohe kishte tre stile gara e ngritjes së peshave), por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara. Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike”.
Kryeministri Rama shkruan më pas se arritjet historike të sportit shqiptar janë fryt i investimeve dhe bashkëpunimi i qeverisë me Komitetin Olimpik dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që kanë ngritur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. /abcnews.al